Në Gjilan është mbajtur sot takimi i kryetarëve të regjionit, drejtorëve të drejtorive të shëndetësisë dhe komandantët e stacioneve policore nga këto komuna, të inicuar nga ana e Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik dhe Spitalit Regjional, me qëllim të informimit të përgjithshëm të gjendjes me Covid-19, por edhe koordinim për hapat e mëtejm në përballje me virusin korona.
Ajhane Sefiu drejtoreshë e QRSHP në Gjilan ka elaboruar situatën në këtë regjion përmes shifrave duke bërë thirrje për kujdes maksimal dhe preventivë.
“Situata e tanishme në këtë regjion e shprehur në shifra për këtë periudhë të përballjes me pandeminë globale është si vijon: janë marrë gjithsej 2120 mostra, prej tyre kanë rezultuar pozitiv 350 raste, ku aktiv i kemi 112 raste pozitive, të shëruar plotësisht janë 238 raste, të cilët kanë qenë nga shumë vendbanime. Negativizimi i rasteve na jep shpresë falë edhe angazhimit në nivel regjioni të kryetarëve të Komunave, që të kemi situatën nën kontroll dhe shumë më të mirë se deri më tani, përkundër që lëvizjet e qytetarëve në vende publike javët e fundit janë rritur”, ka thënë ndër të tjerash ajo.
Ndërsa, Ukshin Ismajli, drejtor klinik në Spitalin e Përgjithshëm, ka konfirmuar se nga data 26 qershor spitalet janë të obliguara sipas rregullave të Ministrisë së Shëndetësisë, në përballje me Covid-19, për menaxhimin e rasteve të dyshuara me infeksion nëpër repartet e tyre të infektivës.
“Spitali i Përgjithshëm nga data 26 qershor deri më sot i ka menaxhuar 24 pacient në repartin e infektivës. Ne sot kemi kërkuar nga kryetarët e regjionit që ti referojnë pacientët të cilët kanë simptome në Covid-19 dhe trajtimi shëndetësor do të bëhet pastaj nga ekipet përgjegjëse në repartin e infektivës. Në çdo moment jemi të gatshëm të dalim në ndihmë dhe shërbim për të gjithë pacientët që kanë simptoma të infektimit me virus, kanë dyshime apo edhe atyre që janë pozitiv dhe kanë përkeqësim të gjendjes shëndetësore, për trajtim në nivel regjioni përkundër kur rastet duhet të referohen në QKUK për trajtim të shkallës tjeër”, ka thënë mes tjerash Ismajli.
Ndërsa kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka potencuar që me koordinim bashkarisht është arritur që të menaxhohet situate për këto 117 ditë të përballjes me pandeminë, duke theksuar edhe rastin e njërit nga kryetarët, i cili është infektuar dhe e ka përballuar virusin deri në shërim të plotë.
“Fatkeqësisht gjatë përballjes me pandeminë globale kishim rastin e kolegut tonë që është infektuar dhe e ka përballuar këtë sfidë deri në shërimin e tij të plotë. Kjo tregon se sa kanë qenë të rëndësishme emergjencat civile dhe koordinimi në nivel të kryetarëve të Komunave. Jemi jashtëzakonisht të kënaqur me bashkëpunimin dhe koordinimin me institucionet e shtetit në rrafshin e shëndetësisë, policisë dhe menanizmave të tjerë. Asgjë nuk ka përfunduar, po shihet se tremujori i parë është përcjellur me më pak raste, kur edhe ishte e kufizuar lëvizja dhe shumë aktivitete, ndërsa në javët e fundit, kur ka filluar hapja ndaj jetës dhe zhvillimit në normalizim, solli edhe infeksionin dhe rritjen e numrit të të infektuarve”, tha kryetari Haziri në fjalën e tij.
Ai ka potencuar se me lojalitetin e qytetarëve, në Anamoravë numri i të infektuarve ka qenë nën monitorim dhe gjendja gjatë gjithë kohës ka qenë nën kontroll me mbykëçyrje të vazhdueshme.
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka falënderuar për angazhimin e ekipeve mjekësore në nivelin regjional të cilët janë marrë për këtë periudhë kohore me rastet dhe ka ofruar bashkëpunimin e plotë për menaxhimin e rasteve dhe koordinimin që të kemi gjendjen nën kontrollë deri në normalizim të plotë në aspektin e shëndetit publik që tani është një sfidë.
Svetislav Ivanovic, Dragan Petkovic, Bozidar Dejanovic, Vladica Aritonoviq dhe nënkryetari, Hasan Alia, kanë konfirmuar angazhimin maksimal të tyre dhe bashkëpunimin e plotë me institucionet shëndetësore në nivel të regjionit të Gjilanit, në mënyrë që gjendja të shkoj drejtë normalizimit të plotë në përballjen me pandeminë globale Covid-19, transmeton lajmi.net.
Ata janë shprehur të gatshëm të ndihmojnë njëri-tjetrin me të gjitha kapacitetet që kanë nga komunat që udhëheqin.