Këshilli Gjyqësor i Kosovës përmes aplikacionit ZOOM, ka mbajtur takimin e 235-të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit, Skender Çoçaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.
Takimi filloi me aprovimin e plotësim/ndryshimit të vendimit të KGjK-së, të datës 23 qershor 2020, për miratimin e listës së gjyqtarëve për të qenë pjesë e listës së Paneleve Hetimore, me mandat tre (3) vjeçar.
“Gjatë këtij takimi, anëtarët e KGjK-së, zgjodhën anëtaren e Komisionit për Rishqyrtim të Ankesave, gjyqtaren Diellza Hoxha. Po ashtu, pas zhvillimit të procesit të votimit, me shumicë votash, kanë përzgjedhur dhe emëruar Kryetarin e Gjykatës Themelore në Pejë, gjyqtarin Armend Berisha, si dhe Kryetarin e Gjykatës Themelore në Gjakovë, gjyqtarin Nikollë Komoni”.
“Anëtarët e Këshillit aprovuan kërkesën e Kryetarit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Nikolla Kabašić, lidhur me transferimin e një gjyqtari në Gjykatën e Apelit, të cilit paraprakisht i lejohet përfundimi i një lënde penale si dhe themeluan anëtarët e Komisionit për përzgjedhjen e gjyqtarëve në Departamentin Special në kuadër të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe në kuadër të Gjykatës e Apelit”, njofton Klan Kosova.
“Mes tjerash, u diskutua edhe situata e gjyqësorit dhe përshtatja e punës së gjykatave në gjendje të pandemisë me ç’rast Kryesuesi Çoçaj u bën përsëri thirrje të gjitha gjykatave, që organizimin e punës ta bëjnë në përputhje me rekomandimet e IKSHP-së për masat kundër virusit COVID-19, vendimit të Këshillit, Planit emergjent për menaxhimin e krizës, vendimit të Qeverisë si dhe Manualit për mbrojtje nga përhapja e virusit”.