Guvernatori i Teksasit në SHBA, Greg Abbott, ka urdhëruar qytetarët të mbajnë maskat mbrojtëse në publik, pasi rritjes së numrit të rasteve me koronavirus në këtë shtet amerikan.
Teksasi arriti një rekord të rasteve me COVID-19, pasi vetëm të mërkurën u konfirmuan më shumë se 8,000 të infektuar me koronavirus.
“Mbajtja e maskës në fytyrë do të na ndihmojë të mbajmë Teksasin të hapur për biznes”, tha Abbott, pasi njoftoi për vendimin.
Banorët që refuzojnë të vendosin maskën do të përballen me gjobë deri në 250 dollarë.
“Më lejoni të jem i qartë: askush nuk mund të burgoset për shkeljen e kësaj praktike”, tha guvernatori.
Ai paralajmëroi se disa njësi të kujdesit intensiv ishin pothuajse të mbushura me pacientë.
Në vendimin për mbajtjen e maskës nuk janë të përfshirë fëmijët që janë 10 vjeç ose më të rinj, ata që kanë një gjendje mjekësore e cila i pengon të veshin maskën, personat që janë duke ngrënë ose pirë dhe ata që bëjnë aktivitete fizike në ambient të hapur.
Shtetet e Bashkuara janë goditur më së keqi nga pandemia e koronavirusit, shkruan REL.
Deri më tani ka pasur 2.7 milionë raste të të infektuarve në shkallë vendi dhe më shumë se 128,000 vdekje.