Përkundër rritjes së rasteve me koronavirus në burgjet e Kosovës situata vazhdon të jetë e qetë. Përveç një të burgosuri që kishte rezultuar pozitiv me COVID-19, deri tani nuk ka raste të reja të infektimit.
Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues, Nehat Thaçi.
Ai ka thënë se të burgosurit vazhdojnë të kenë vizita familjare, por që vikendet ende nuk i kanë lejuar.
“I vetmi rast që ka dal pozitiv me koronavirus ka qenë me datën 24 qershor dhe ai e ka marrë virusin nga një zyrtar, të burgosurit tjerë kanë dal negativ. Situata është e qetë, kanë vizita familjare, kanë telefonata dhe biseda në Skype. Por për shkak të virusit ende nuk i kemi leju vizitat”, theksoi ai.
Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues, Nehat Thaçi
Thaçi shtoi më tej se i burgosuri i cili kishte rezultuar pozitiv tashmë është kthyer me të burgosurit tjerë, dhe se gjendja e tij është e mirë.
Ndryshe, që nga paraqitja e rasteve të para (13 mars) e deri tani në Kosovë janë infektuar 2 mijë e 991 persona, 1 mijë e 644 prej tyre janë shëruar kurse raste aktive vazhdojnë të jenë 1 mijë e 293.
Nga virusi COVID-19, në vendin tonë kanë humbur jetën 56 persona, të cilët kishin edhe sëmundje tjera shoqëruese.