114 persona të infektuar me COVID-19 janë duke u trajtuar aktualisht në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës, ku 59 prej tyre janë duke u trajtuar në reparte me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive.
Përmes raportit 24 orësh, Infektiva ka bërë me dije se katër raste janë në gjendje kritike me frymëmarrje të asistuar me respirator.
“Në repartin e Mjekimit Intensiv janë duke u trajtuar 6 raste, 2 raste janë në gjendje të rëndë duke u trajtuar me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive, si dhe 4 raste janë në gjendje kritike me frymëmarrje të asistuar me Respirator”, thuhet në raport, përcjell Front Online.
Klinika ka njoftuar se dje janë liruar tetë raste pozitive me koronavirus të cilët kanë qenë në gjendje klinike stabile.