Prej fillimit të qershorit, kur janë lehtësuar masat parandaluese të përhapjes së pandemisë COVID-19, në Komunën e Pejës nuk kalon një ditë që nuk regjistrohet së paku një i infektuar.
Prej 100 rasteve të reja me COVID-19, aktualisht janë 54 raste aktive. Prej tyre 17 janë të regjistruar në Repartin Infektiv të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë, por vetëm katër prej tyre, siç tregon infektologu Zenel Shatri, janë të shtrirë, derisa të tjerët trajtohen në mënyrë ambulantive dhe janë nën përcjellje të vazhdueshme të stafit mjekësor.
Në këtë repart, me vetëm 2 infektologë, për momentin ndodhen 20 shtretër të lirë që mund të hospitalizohen pacientët me COVID-19. E në rast nevoje ky spital ka edhe plane për zgjerimin e kapacitetit për pranimin e pacientëve tjerë të mundshëm me këtë sëmundje.
“Në rast të shtimit të përmasave të kësaj sëmundjeje dhe numrit të pacientëve tek ne, këtu e kemi përgatitur kapacitetin e spitalit të mushkërive. Është edhe faza e tretë që parasheh grupimin e disa reparteve në mënyrë që të lëshohen hapësira për trajtimin e rasteve me COVID-19 nëse ka prapë rritje të fazës së tretë. Këto janë planet që ne i kemi dhe me të gjitha kapacitetet që i kemi do të jemi në shërbim të qytetarëve”, ka thënë Naim Sahiti, zëdhënës i Spitalit të Përgjithshëm të Pejës.
Spitali i Pejës ka 400 shtretër në gjithë repartet, por i tërë ky kapacitet nuk do të jetë në shërbim të të sëmurëve me COVID-19 pasi, siç thotë Sahiti, spitali duhet t’i trajtojë edhe pacientët me sëmundje të tjera. E në rast nevoje Komuna e Pejës ka paraparë hapësira shtesë për trajtimin e pacientëve me COVID-19.
“Në qoftë se situata kalon në një stad më emergjent, nëse rritja e numrit të të prekurve kalon në shifra alarmante, atëherë janë disa objekte që janë konsideruar si të përshtatshme të cilat mund të përdoreshin nga ana e institucioneve shëndetësore, për të menaxhuar të hospitalizuarit e mundshëm me COVID-19”, është shprehur Petrit Loci, drejtor i Shëndetësisë në këtë komunë.
Këto objekte të identifikuara nga Komuna janë për qëndrim ditor të të moshuarve afër Pallatit të Kulturës, objekti dykatësh për strehim emergjent në lagjen “Kristal”, si dhe qendra private për përkujdesjen e të moshuarve, e cila në rast nevoje ia ka ofruar Komunës katin e dytë, që ka hyrje të veçantë, raporton KOHA.
Prej fillimit të situatës emergjente të shkaktuar nga kjo pandemi, në Komunën e Pejës zyrtarisht janë diagnostikuar 170 raste me COVID-19. Prej tyre 109 janë shëruar dhe dy kanë vdekur. 100 raste janë paraqitur pasi 1 qershorit.