Kryetari i Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka publikuar një shkrim për të kujtuar Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut, të bërë nga deputetët kosovarë në vitin 1990, përcjell InLajmi.
Ai përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se kjo deklaratë i kishte hapur rrugën Kosovës për të qenë e barabartë me entitetet e tjera, përkundër se zbatimi i saj nuk ishte lejuar nga pushteti i Milloshevqit.
Haradinaj, ka thënë se deklaratën e asaj legjislature deputetësh e kishte jetësuar Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Postimi i plotë i tij:
Me 2 korrik 1990, deputetët kosovarë, me gjithë presionin e kërcënimet nga pushteti i Millosheviqit, nxorën aktin të cilin shqiptarët e prisnin me dekada.
Deklarata me të cilën Kosovës i hapej rruga për të qenë e barabartë me entitetet e tjera, edhe pse nuk u lejua të zbatohej, me forcën e armëve e tankseve, dërgoi mesazhin në gjithë botën për përcaktimin e shqiptarëve për liri e pavarësi.
Duke qenë falënderues për të gjithë deputetët e asaj legjislature, deklaratën e tyre e jetësoi Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
2 korriku do të mbetet përgjithmonë në kujtesën historike të shqiptarëve./InLajmi/