Sindikata e infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësor, kanë mbajtur një konferencë për medie, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me Ligjin për Paga, raporton InLajmi.
Kryetari i SHSIMP, Fitim Havolli, tha para medieve se ky vendim ka ardhur si pasojë e mos dëgjimit të shumë sindikatave tjera, ku bënë pjesë edhe Sindikata e Infermierëve dhe Mamive.
“Ne si komunitet e respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, mirëpo jemi këtu që t’ju bëjmë thirrje dhe apel të gjitha institucioneve relevante, Ministrisë së Shëndetësisë, kryeministrit të vendit dhe gjithë atyre që nuk punuan siç duhet për mos me ardhë deri te vendimi i Gjykatës Kushtetuese”.
Kërkesë e tyre është që koeficienti i tyre të jetë 3.2, njëjtë siç e gëzojnë fizioterapeutët e Kosovës.
“Kërkesa jonë ka qenë që brenda sektorit të shëndetësisë të kategorizohen të gjitha grupet sipas ligjit e që është 3.2. Tash, ligji me vendimin e Gjykatës Kushtetuese është kthy në zero. Ne si komunitet infermieror nuk do të lejojmë, që në këtë kohë pandemie që kur njerëzit, familjet tona, njerëzit tonë kanë nevojë më shumë se kurrë, ne do të jemi pranë tyre. Pandemia do të marrë fund dikur, do të jemi ata që menjëherë do të kërkojmë të drejtat tona legjitime, të mohuara që pas luftës e këndej. Asgjë nuk është zgjedh që prej vitit 2000. Ka me mijëra infermierë që përgatiten të ikin nga vendi, duke i lënë vendet bosh. Edhe organizata e shëndetësisë ka bërë thirrje që të trajtohet mirë ky komunitet”, tha Havolli./InLajmi/