Nënkryetarja e VV-së, Albulena Haxhiu ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit për dënim me 1 vit e 2 muaj me kusht të ish-shefit të grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovcit dhe të tjerëve, në rastin e njohur si ‘Pronto’, përcjell InLajmi
Haxhiu, ka thënë se ky vendimi për dënimin me kusht dhe jo me burg është cenim i rëndë i drejtësisë.
Ajo ka përmendur procesin e vettingut duke thënë se institucionet e drejtësisë kanë nevojë më shumë se kurrë për një proces legjitimimi që do të bëhej përmes këtij procesi.
Postimi i plotë i tij:
Në ditën kur qeveria Koti e koalicionit PLAN paska vendosur rikapjen e institucioneve të vendit duke i zhbërë disa vendime të qeverisë Kurti doli edhe vendimi për kinse dënimin e personifikimit të kapjes së shtetit dhe protagonistit të Aferës Pronto, Adem Grabovci. Kjo nuk ka të bëjë me drejtësi, përkundrazi ky është cenim i rëndë i drejtësisë kur gjithë ato biseda të cilat me prova e fakte në terren tregojnë se ajo skemë e kapjes është e realizuar dhe gjindet këmbë e kry në institucionet e Republikës. Vendimi me kusht dhe jo me burg është djegie e drejtësisë.
Institucionet e drejtësisë kanë nevojë më shumë se kurrë për një proces legjitimimi që do të bëhej përmes vettingut të cilin e patëm filluar gjatë qeverisjes. Vetëm me përcaktim të qartë politik për çkapjen e shtetit prej nga edhe gjyqësori do t’i ketë duart e lira dhe të pavarura do të kemi shtet të së drejtës, i cili nuk është shtet që dënon vetëm aty ku ka mundësi, por aty ku duhet dënuar. Kosova nuk mund të jetë vend ku dënohen vetëm të varfërit e qytetarët e zakonshëm e nuk preken të fortët e politikës dhe krimit./InLajmi/