Kryetari i Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës, Ramush Haradinaj ka folur për kryesimin e presidencës së BE-së nga Gjermania dhe shanset që ka Kosova që gjatë kësaj periudhe ta përmbyll procesin e liberalizimit të vizave, përcjell InLajmi.
Ai me anë të një postimi në Facebook ka thënë se kryesimi i BE-së nga një shtet mik si Gjermania përbën një lajm shumë të mirë për Kosovën.
Kjo pasi që sipas tij, kancelarja Merkel i kupton shumë mirë nevojat e qytetarëve të Kosovës që rrjedhin që një kohë të gjatë.
Ai shprehet i bindur se gjatë kësaj periudhe, Kosova do ta fitojë liberalizimin e vizave nga një energji dhe angazhim i ri i Gjermanisë.
Postimi i plotë:
Që sot, Gjermania kryeson Presidencën e Këshillit të BE-së për gjashtë muajt e ardhshëm. Shteti gjerman me konsistencë ka mbështetur Kosovën drejt pavarësisë dhe shtetndërtimit, prandaj kryesimi i BE-së nga një aleat si Gjermania, përbën lajm të mirë për qytetarët e Kosovës. Kancelarja Merkel si askush tjetër në BE i kupton nevojat e Kosovës që janë ndrydhur për një kohë të gjatë, si pasojë e politikave të ngadalta të Bashkimit Evropian. Nuk kam dyshim që përgjatë mandatit gjashtëmujor të Gjermanisë në krye të BE-së, një energji e re do ta përfundojë procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe do t’i çojë përpara proceset integruese të Kosovës në organizatat dhe institucionet e Bashkimit Evropian./InLajmi/