Që nga e enjta në Spitalin Rajonal të Gjilanit, kanë nisur të pranohen pacientët e dyshuar me COVID-19.
Në këtë spital deri tani janë të hospitalizuar 11 pacientë me simptoma dhe si të dyshuar në pritje të rezultateve për testim.
Në një konferencë për media, personeli nga Spitali Regjional i Gjilanit, ka bërë të ditur gjendjen e 11 pacientëve të hospitalizuar.
“Nga e enjtja kemi filluar pranimin e rasteve të dyshimta deri në testimin e tyre. Kemi 11 pacientë të hospitalizuar, prej tyre 4 pritet të testohen, gjendja e tyre është e mirë përveç dy pacientëve me simptoma të avancuara të cilët janë referuar në Klinikën Infektive të QKUK-së”, kanë bërë të ditur zyrtarë nga Spitali i Gjilanit.
Kryetari i komunës, Lutfi Haziri, tha se reparti i Infektivës në Gjilan ka kapacitet të kufizuar me vetëm 10 shtretër për pacientët e hospitalizuar, por që po bëhen përgatitje që në rast të urgjencave të përdoren edhe repartet tjera.
Për momentin në infektivë kemi 10 shtretër, kemi mundësi të pranojmë 10 pacientë por kemi edhe repartet tjera që varësisht natyrës së infeksionit mund të shtohen”, u tha në konferencë për media ku ka marrë pjesë edhe kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri./InLajmi/