Avokatja e njohur botërore, Nevenka Tromp, e cila është edhe ligjëruese në studimet evropiane të Universitetit në Amsterdam dhe ish-hulumtuese e Tribunalit të Hagës për 12 vjet me radhë, ka thënë në emisionin “Novi dan” për televizionin N1 ka thënë se pretendimet ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit nuk janë ende aktakuzë.
“Ajo çfarë është krijuar tani në publik është një lloj ideje se në fakt janë ngritur aktakuzat kundër Thaçit, Veselit dhe disa personave të tjerë të cilët ishin bashkëpunëtorë të tyre të afërt gjatë kohës së luftës. Kjo nuk është e saktë, ky është vetëm publikim i Prokurorisë se punojnë në aktakuza të cilat përfshijnë edhe Thaçin dhe Veselin”, ka thënë Tromp.
Ajo ka thënë se prej kur merret me drejtësinë dhe prej ku ka punuar në Tribunalin e Hagës, një precedent i tillë i publikimit të një aktakuze të pakonfirmuar nuk ka ndodhur kurrë.
“Vetë akti i dorëzimit të draftit të aktakuzës është çështje e reputacionit të atij ekipi, të tërë prokurorisë, sepse nëse ti i dorëzon gjykatësve draftin e aktakuzës dhe nuk i ke dorëzuar argumente të cilat janë mjaftueshëm të forta në mënyrë që të emërohet, kjo quhet Prima facie në zhargonin ligjor, dhe nëse kjo aktakuzë del e pasuksesshme atëherë kjo është një turp absolut për tërë Zyrën e Prokurorit”, ka thënë Tromp.
E pyetur nëse ekziston lidhja apo ndërhyrja e politikës, pasi që momenti kur është publikuar ishte kur Thaçi ishte nisur dhe ishte dy ditë para takimit në Uashington, Tromp ka thënë se kur bëhet fjalë për gjykimet apo hulumtimet për krime të motivuara politikisht apo për qëllime politike, atëherë as institucioni ligjor nuk mund të shkëputet nga politika.
“Të gjithë që kemi punuar në raste të tilla do ta kishim të pamundshme që pas aq shumë vitesh të paralajmërimit të këtyre aktakuzave, sikur Zyra e prokurorit punën e vet mos ta kishte kuptuar aq seriozisht sa të dorëzoj draftin e aktakuzës, pra jo aktakuzën, e cila është e tillë vetëm nëse e konfirmojnë gjykatësit, , transmeton lajmi.net.
Është e pamundshme që ata do të bënin diçka të tillë, pa u siguruar që kanë bërë gjithçka që është e mundshme në atë moment, sepse këtu bëhet fjalë jo vetëm për reputacionin e Kryeprokurorit Jack Smith, jo vetëm për prokurorinë e kësaj Gjykate, por këtu bëhet fjalë për gjithë konceptin e Gjykatës, a ka kjo gjykatë të drejtë të ekzistojë. Është e pabesueshme, dhe për atë është interesante dhe e rëndësishme të shikohet nga këndi normativ se çka është duke u bërë. Ta lëmë politikën në këtë moment të presë si temë, sepse kjo është një moment vendimtar”, ka thënë ajo.