Që nga publikimi i aktakuzës nga Specialja për presidentin Hashim Thaçi dhe kreun e PDK-së Kadri Veseli, kanë reaguar shumë fytyra publike por edhe qytetarë të vendit të cilët edhe kanë shprehur dëshirën të jenë pranë familjes së vet presidentit, në Burojë të Skenderajt.
E sot në një deklaratë të dërguar për media nga familja e presidentit Thaçi, thonë se janë mirënjohës për interesimin dhe solidarizimin me familjen, përcjell EO.
Letra e plotë:
Të nderuar familjarë, miq dhe bashkëkombës,
Ditët e fundit ka pasur interesim të jashtëzakonshëm të të afërmve të familjes, miqve dhe qytetarëve për të na vizituar në shtëpinë tonë në Burojë, në shenjë solidarizimi për momentet sfiduese nëpër të cilat po kalojmë.
Jemi thellësisht mirënjohës për interesimin tuaj dhe për solidarizimin me ne si familje. Mirëpo, për shkak të pandemisë e kemi të pamundur që t’ju presim në shtëpinë tonë sipas nderit, traditës së familjes dhe të popullit tonë.
Shëndeti juaj është shumë më i rëndësishëm se gjithçka tjetër!
Jemi falënderues përjetësisht për mbështetjen që keni treguar për më tepër se dy dekada për birin, babanë dhe vëllain tonë, presidentin Hashim Thaçi, i cili me gjithë qenien e tij ka punuar për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.
Askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës, e as ta zhbëjë sakrificën e shqiptarëve për liri, pavarësi dhe shtetndërtim.
Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit! Lavdi luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
Ju faleminderit nga zemra për mbështetjen e vazhdueshme.
Me respekt, Familja Thaçi, Burojë.