Kryeministri shqiptar Edi Rama ka qenë shumë kritik për politikanët kosovarë që nuk po arrijnë të gjejnë konsensus.
“Përtej fakteve që janë të pandryshueshme dhe asaj që na rikthehet para syve kur i rikthehemi historisë ky është një oprtunitet për ne dhe është një mundësi që duhet shfrytëzuar. Nuk bëhet kjo duke thënë që afrimi, komunikimi, shkëmbimi dhe normalizimi na dëmton, përkundrazi na dëmton e kundërta dhe kjo po verifikohet ditë pas dite. Ne na dëmton e kundërta – barrikadimi, provicinalizmi, loja e dyfishtë e një nacionalizmi bazik kur kërkojmë votat dhe pastaj e një barrikadimi pa largpamësi kur drejtojmë. Këto janë reflektime që lidhen edhe me vet situatën”.
Rama në Rubikon të Klan Kosovës ka thënë se nuk po kërkon konsensus në skenën politike kosovare si uniformitet, por s’do përçarje deri në ekstrem ku ndahen ‘tradhtarët’ dhe ‘heronjtë’.
“Nuk jam naiv dhe nuk predikoj nga ajri që këtu është e mundur që të ketë një konsensus për të gjitha, sepse ka edhe vende të tjera që, historia i di, kanë qenë në këto dilema të mëdha dhe nuk është se nuk kanë pasë tensione dhe fraksione gati edhe shumë më të kundërta.
Problemi është jo për të njehsuar gjithë pikturën, jo për të bërë një uniformitet, por për ta shfrytëzuar diversitetin strategjikisht dhe për të ndarë rolet. Jo për të shfrytëzuar luftën, viktimat dhe plagët për të marrë vota dhe as për të shfrytëzuar emocionet e zgjedhësve kosovarë duke përdorur Masakrën e Reçakut si një arsye për të treguar kush është më patrioti, më i dyshuari, ai që po nderon dhe ai që s’po nderon – por, thjesht për të pasë kapacitetein e ndërveprimit”.
“Nuk e kemi luksin që në sytë e kundërshtarit të madh politik me të cilin jemi të detyruar që të bashkëjetojmë, siç bashkëjetojmë brenda vendit me njëri-tjetrin kur jemi kundërshtar, të jemi kaq të fragmentuar dhe të ndarë, madje të shkojmë deri në ekstrem duke përcaktuar brenda nesh tradhtarë, komplotisë dhe agjentë, sepse kjo e bën shumë më të lehtë punën e tyre”.
Shefi i qeverisë shqiptare ka deklaruar se është degraduar forca e shqiptarëve si komb të ndarë në shtete.
“Kemi dy shtete dhe jemi unikal. Nuk është një fat që na ndodhi, por është një vepër që u realizua falë një historie rezistence nga Ibrahim Rugova te Hashim Thaçi, nga Lëvizja e Rezistencës Gandiane tek Lëvizja Çlirimtare me mbështetjen e partnerëve tanë. Kjo është korniza e vendosur e kësaj vepre. Të shkosh dhe të thyesh, ciflosësh ose merresh me kornizën është katastrofë”.
Kryeministri shqiptar është i bindur se shqiptarët dhe serbët duhet të synojnë shumë larg bashkë, por vetëm pasi të kalojnë mosdakordësinë e madhe me komunikim.
“Kam një bindje të thjeshtë fare: Nëse ke zgjedhur paqen, atëherë duhet t’i nënshtrohesh rregullit më të thjeshtë që është të komunikosh, të shfrytëzosh çdo hapësirë për komunikim dhe në atë hapësirë të gjesh çdo mundësi për ta ngushtuar rrethin e mosdakordësisë”.
“Marrëdhënia ime me presidentin e Serbisë është marrëdhënie e krijuar në rrethana detyruese si rezultat i të qenit Kryeministri i Shqipërisë dhe i të pasurit kryeministrin e atëhershëm të Serbisë dhe në funksion të bindjes sime që shqiptarët dhe serbët në kushtet kur lufta ka mbaruar dhe kemi zgjedhur paqen duhet të synojmë shumë larg së bashku.
Synimi i largët lidhet me kapërcimin e mosdakordësisë së madhe. Mosdakordësia e madhe qëndron mes meje dhe tij, por kemi rënë dakord që të mos biem dakord për këtë. Për këtë e di ai siç e di edhe unë, e di unë për të siç e di ai për mua që në këtë pikë ne jemi në luftë diplomatike – duke ndarë idenë që duhet ecur dhe hapësirat e tjera duhen shfrytëzuar. Koha kalon dhe popujt jetojnë”.