Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë, të dielën mbrëma kanë nxjerrë një rekomandim përmes së cilit kanë njoftuar për një strategji të re të testimeve për COVID-19.
Ky rekomandim është dërguar në qendrat rajonale të shëndetit publik. Por, si duket ka hasur në keqkuptim. Kjo pasi në komunën e Gjilanit, sot nuk është lejuar marrja e mostrave për testim.
Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, ka thënë për Gazetën Express se gjatë ditës së sotme nuk është lejuar marrja e mostrave të dyshuara për COVID-19 në këtë komunë.
“Sot nuk është marrë asnjë mostër. Nuk na është lejuar të marrim mostra në Gjilan. Qendra rajonale e shëndetit publik sot nuk e ka marrë asnjë mostër, për shkak të një njoftimi nga IKSHPK-ja dhe MSH-ja”, ka thënë Ismajli.
Ismajli tha se ende nuk kanë dalë rezultatet e mostrave të marra nga data 19 deri më 21 qershor.
“Jemi në pritje të afër 100 mostrave që janë marrë për testim më 19, 20 dhe 21 qershor, rezultatet e tyre nuk kanë dalë ende”, deklaroi Ismajli.
Ndryshe Ministria e Shëndetësisë i mohoi lajmet se janë ndalur gjurmimet e rasteve të kontaktit.