Me pasoja për vendin është parë mospajtimi i fortë që janë duke e demonstruar në publik presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Avdullah Hoti në lidhje me përfaqësimin e Kosovës në dialogun me Serbinë. Secili nga ta këmbëngul që vendin ta udhëheqë vetë në këtë proces.
Arbëresha Loxha, drejtoreshë ekzekutive në Grupin për Studime Juridike dhe Politike, i ka thënë Khoes se është duke u vënë në pah tendenca e presidentit Thaçi që të vazhdojë të jetë figura kryesore në dialog.
“Ne konsiderojmë që një gjë e tillë është tashmë e qartësuar nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Pra, kryeministri duhet të udhëheqë dialogun, natyrisht me një konsensus të gjerë parlamentar dhe institucional”, ka thënë Loxha. “Pra, kjo situatë e vë në pah tendencën e vazhdueshme të presidentit që të marrë më shumë kompetenca sesa ato që ia parasheh Kushtetuta e Republikës së Kosovës”.
Në mandatin e Qeverisë së drejtuar nga Ramush Haradinaj ishte bërë një ligj për Ekipin që do ta përfaqësonte Kosovën në negociatat me Serbinë. Pas kontestimit të tij, Gjykata e pati shpallur antikushtetues ligjin dhe ia pati përshkruar presidentit vetëm rolin e këshillëdhënësit për çështje që lidhen me politikën e jashtme. Ndërkaq Qeverisë ia njihte rolin e krijuesit të kësaj politike, përcjell EO.
Programi i Qeverisë pasuese të drejtuar nga Albin Kurti nuk ia përshkruante presidentit asnjë rol në negociatat me fqinjin verior.