Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka folur për takimet që zhvilloi sot me përfaqësuesit e partive politike në Kosovë, përcjell InLajmi.
Hoti gjatë këtyre takimeve ka prezantuar platformën për dialogun me Serbinë. Ai ka njoftuar se do të kërkojë themelimin e komisionit parlamentar dhe ka ftuar partitë opozitare që të marrin rolin e tyre mbikëqyrës.
Ai po ashtu ka thënë se do të takohet me liderët e opozitës kurdo që e shohin të arsyeshme për t’u informuar rreth dialogut.
Postimi i plotë:
Sot pata kënaqësinë që t’i pres përfaqësuesit e partive politike në Kosovë, të cilëve ia prezantova kornizën për dialogun. Gjatë këtyre dy javëve kemi pasur takime intensive me ambasadorët e QUINT-it, me komunitetin akademik në Akademinë e Shkencave, me shoqërinë civile, tash me forumin e liderëve të partive politike. Ne e kemi kompletuar atë mozaikun e nevojshëm të krijimit të konsensusit shoqëror dhe shtetëror në Republikën e Kosovës për procesin e dialogut!
Unë do të kërkoj themelimin e komisionit paralamentar për dialog dhe ftoj partitë opozitare që të marrin rolin e tyre mbikëqyrës. Do ju qasem liderëve të opozitës kudo që ata e shohin të arsyeshme për t’i informuar rreth dialogut./InLajmi/