Kryeministri Avdullah Hoti në diskutimin e KDI-së me temë “Cila është platforma e Qeverisë së Kosovës në dialogun me Serbinë?” ka folur edhe rreth marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, përcjell InLajmi.
“Marrëveshja për Asociacionin nuk është shpallur antikushtetuese. Kushtetuesja ka dhënë vërejtjet e veta që Qeveria duhet t’i ketë parasysh kur të hartojë statusin e Asociacionit”, ka thënë Hoti.
Kreu i Qeverisë ka thënë se themelimi i Asociacionit është një obligim që e ka marrë Kosova dhe si i tillë duhet të themelohet në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
“Është obligim i shtetit të Kosovës që të themelojë këtë asociacion. Duhet të themelohet në pajtim me Kushtetutën e vendit”, ka thënë Hoti.
Kryeministri tutje ka thënë se ende s’ka asgjë në drejtim të themelimit të Asociacionit meqë kanë vetëm 2 javë që kanë marrë detyrën, por thotë se do të jenë të kujdesshëm që të koordinohen me Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës sa i përket hartimit të statutit të Asociacionit. /InLajmi/