Sot është bërë përurimi kushtuar 17 martirëve nga fshati Guri i Kuq të rënë më 31 mars të vitit 1999, këtë e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, përcjell InLajmi.
Ai në postimin e tij në facebook tha se kemi detyrim njerëzor e moral dhe që të mirëmbajmë e kultivojmë vlera, t’i ruajmë këto përmendore dhe të marrim mësim nga veprat e të rënëve për liri.
Ky është postimi i plotë:
Krimet e shtetit serb janë të rënda dhe kurrë nuk plaken. Serbia zgjodhi mjetet më çnjerëzore për të vrarë: pleq, gra, të rinj e të reja, fëmijë e foshnje-nuk la mjet pa e përdorur për të ç’farosur shqiptarët nga trojet e veta. Dogji shtëpi e bagëti, vodhi e plaçkiti, dëboi e torturoi shqiptarët e paarmatosur.
Në Pastasel u masakruan 106, e vetëm nga Guri i Kuq, nga Serbia dhe aparati i saj policor dhe ushtarak u vranë: shtatëmbëdhjetë(17) martirë, andaj këta emra të skalitur në këtë plllakë-lapidar janë historia më e re e përgjakshme e këtij populli.
Ne kemi detyrim njerëzor e moral dhe që të mirëmbajmë e kultivojmë këto vlera, t’i ruajmë këto përmendore dhe të marrim mësim nga veprat e të rënëve për liri.
Si njeri, si shqiptar dhe kryetar komune, po në këtë frymë jam i përkushtuar që të nderojmë kujtimin e tyre, duke punuar me nder e përgjegjësi për të korrur sa më shumë suksese të cilat i kontribuojnë popullit dhe vendit tonë.
Ju bëj thirrje të punojmë sa më shumë e të jemi bashkë, të vazhdojmë rrugëtimin përpara, duke e mbajtur çdo ditë gjallë kujtimin për të rënët. T’i ruajmë e të kujdesemi për mirëmbajtjen e lapidarëve, t’i kujtojmë e nderojmë dëshmorët dhe martirët, është detyrë e secilit nga ne, njëkohësisht, prej nesh kërkohet t’i japim jetë, fuqi, zhvillim dhe përparim atdheut tonë.
Projekti i lapidarit është realizuar në bashkëfinancim ndërmjet Komunës së Rahovecit dhe banorëve të fshatit./InLajmi/