Anëtari i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi ka komentuar tubimin e sotëm të Lëvizjes Vetëvendosje në sheshin e Prishtinë, duke thënë se shëndeti i liderit dhe funksionarëve të VV-së vlejnë më shumë se jeta e qytetarëve të tjerë, qofshin ata edhe militantë të VV-së, përcjell InLajmi.
Sherifi përmes një postimi në Facebook ka thënë se është e drejtë e secilit për manifestim demokratik. Mirëpo, përpara rrezikut që i kanoset njerëzimit nga virusi COVID-19, të gjitha shoqëritë e demokracive perëndimore kanë ndërmarrë masat e nevojshme që të shmangin mundësinë e përhapjes së virusit.
Sherifi ka theksuar se gjatë periudhës kur ishin në pushtet, qoftë edhe si “Qeveri në Detyrë”, Albin Kurti dhe udhëheqësit e tjerë të VV-së aplikuan rekomandimet e OBSH-së, madje edhe në rastet kur militantët e tyre duhej të protestonin duke shënjuar në rrugë shenjat e distancës së nevojshme ndërmjet protestuesve.
Më tej, ai ka shtuar se nuk mund të përjashtohet mundësia që mosrespektimi i distancës në tubim ka qenë strategji e qëllimshme e VV-së për të akuzuar qeverinë e re si përgjegjëse për rritjen eventuale të numrit të njerëzve të infektuar nga COVID-19. /InLajmi/