Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo kanë qenë një burim i debatit më të madh që kemi parë ndonjëherë në futboll, me pyetjen e shtruar se kush është më i mirë në krahasimin mes tyre.
Ylli argjentinas dhe ai portugez konsiderohen ndër më të mirët në histori të futbollit. Ata rivalitetin mes tyre e kanë ngritur në një tjetër nivel, duke luajtur në të njëjtën ligë për nëntë vjet, me Messin te Barcelona dhe Ronaldon te Real Madrid.
Të dy së bashku, kanë fituar 11 herë Topin e Artë, me Messin që i është gëzuar gjashtë herë këtij suksesi, dhe Ronaldo pesë herë.
Një studim i bërë nga ‘SciSports’ në bashkëpunim me Universitetin Katolik në Leuven të Belgjikës, ka zbuluar se Lionel Messi është dy herë më i mirë se anëtari i Juventusit, që në të kaluarën ka veshur fanellën e Real Madrid.
“Vlera e një lojtari shpesh përcaktohet nga golat dhe asistimet”, ka deklaruar profesori, Jesse Davis, i cili ka punuar në këtë studim.
“Goli është një qëllim i rrallë, sepse mesatarisht 1600 veprime vlerësohen të ndodhin në një ndeshje”.
“Modeli ynë shikon çdo veprim, goditjet, kalimet, driblimet, ndalimet – dhe llogaritet vlera e tij”.
Studimi është i bazuar në paraqitjet e Messit dhe Ronaldos mes viteve 2013 dhe 2018, që i bije të jetë bërë për pesë vitet e fundit të portugezit te Real Madrid.
Dhe rezultatet kanë qenë të qartë: Messi shënoi 1.21, ndërsa Ronaldo shënoi 0.61. Dhe kjo ishte periudha më e suksesshme e portugezit te Real Madrid, ku fitoi katër herë Ligën e Kampionëve dhe katër herë Topin e Artë, përcjell lajmi.net.
Studimi në fund thotë se Messi luan më shumë me topin, gjeneron më shumë shanse dhe ka më shumë efekt në rezultatin e ndeshjeve sesa Ronaldo.