Kryetari i PDK-së Kadri Veseli, qëndroi gjatë ditës në Prizren ku vizitoi ndërtesën e ish burgut të OZN-ës, ku vuajtën e vdiqën qindra nacionalistë e patriot, sikurse Halim Spahia, Marije Shllaku, At Bernard Llupi, e shumë shqiptarë të tjerë, përcjell InLajmi.
Ai tha se në ambientet e brendshme të kësaj ndërtese ende ekzistojnë gjurmët e dhembjes të qindra e mijëra shqiptarëve të cilët u arrestuan, torturuan dhe u vranë si të dënuar politikë shqiptarë që kishin punuar për çlirimin e Kosovës nga ish Jugosllavia, veçmas ata që kanë kaluar nëpër zyrat e UDB-ës së Prizrenit gjatë kësaj periudhe kohore.
“Bazuar në të gjitha këto dëshmi të dokumentuar nga punonjës të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, është hartuar projekt propozimi i “Muzeut të Dhunës” i cili tani e tutje do të shndërrohet në muzeun e kujtesës të krimeve të komunizmit” shkroi Veseli në facebook.
Kreu i PDK-së u zotua se do të angazhohet që procesi i memorizimit të së kaluarës tonë historike të rregullohet e mbrohet me ligj, dhe se së shpejti do të iniciohet në Kuvendin e Kosovës nisma ligjore për ndëshkimin e krimeve të komunizmit në Kosovë./InLajmi/