Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini ka reaguar ndaj mosveprimit të IKSHPK-së ndaj një rasti tejet problematik të një infeksioni me Covid-19 në spitali regjional të Gjakovës, përcjell InLajmi.
Gjini tha se para katër ditësh, një paciente me origjinë nga komuna e Rahovecit që ka qenë e hospitalizuar në spitalin regjional të Gjakovës ka rezultuar pozitive me Covid-19. E njejta ka qëndruar në spital për mê shumë se një javë.
E të hënën në takimin e kryetarëve të komunave të Kosovës me ministrin Zemaj dhe Prof. Ramadani nga IKSHPK, ai e ka ngritur këtë rast dhe ka kërkuar rezultate të shpejta të testeve sepse pas tetë javësh pa asnjë të infektuar, Gjakova mund të kthehet në një vatër të re infeksioni mu për faktin se pacientja ka qëndruar gjatë në spital dhe, edhe më keq, përpos personelit mund të ketë edhe pacientë tjerë të infektuar.
“Reagimi im ka të bëjë me faktin se po hymë në ditën e katërt qëkur është diagnostifikuar pacientja dhe ende nuk kemi rezultate për personelin shëndetësorë të spitalit regjional të Gjakovës. Me datën 8 të këtij muaji janë marrur mostrat e 19 punëtorëve personel i spitalit dhe as sonte me dt 10 nuk jane trajtuar mostrat” shkroi Gjini në facebook.
I pari i Gjakovës tha se këto mostra është dashur të trajtohen me urgjencë absolute./InLajmi/