Me rastin e dy vjetorit të vdekjes së futbollist dhe ish-kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri shumë figura të njohura publike e kanë përkujtuar atë përmes homazheve dhe postimeve në rrjetet sociale, shkruan InLajmi.
Ndër ta, ishte edhe lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli i cili së bashku me të birin e Fadil Vokrrit, Gramozin bën homazhe te varri i tij.
Veseli tha se Vokrri me kontributin e tij ndihmoi në ndërkombëtarizimin e futbollit kosovar.
“Kombëtarja e Kosovës e ka brenda vetes emrin dhe vlerat e Fadil Vokrrit dhe ne i jemi falënderues sot e përgjithmonë” shkruan Veseli.
Postimi i plotë në facebook, pa ndërhyrje:
Guxoi të ëndërronte dhe nuk dështoi ta bënte realitet. Sot, në dy vjetorin e vdekjes e kujtojmë legjenden e futbollit, Fadil Vokrri.
Bashkë me Gramozin dhe bashkëshorten e Fadilit dhe miq të tjerë, bëmë homazhe tek varri i tij.
Ai e ndërkombëtarizoi futbollin kosovar me kontributin e tij të pashoq dhe bëri që emri i një vendi të vogël si Kosova të shfaqet në syrin e gjithë botës.
Kombëtarja e Kosovës e ka brenda vetes emrin dhe vlerat e Fadil Vokrrit dhe ne i jemi falënderues sot e përgjithmonë. Ëndrra vazhdon për kualifikim në Euro 2020. /InLajmi/