Më 1 Qershor me vendim të qeverisë së kaluar, nisi edhe Faza e III-të e masave lehtësuese në luftën ndaj pandemisë COVID-19, ku u rihapën shumë aktivitete biznesore, por edhe kufijtë tokësorë.
Por, Ministria e Shëndetësisë e cila udhëhiqej nga Arben Vitia nuk e pa të arsyeshme hapjen e ushtrimit të aktivitetit të autoshkollave.
E, në shenjë revolte Federata e Autoshkollave të Kosovës, më 4 të këtij muaji mbajti edhe një protestë, derisa sot ishte paraparë të mbahej edhe një takim me ministrin e Infrastrukturës nga qeveria Hoti, Arban Abrashi, por edhe kërkesa ndaj këtij të fundit hasi në vesh të shurdhër.
“Kush hesap nuk po na bën. Ne s’jemi të detyruar ta lajmërojmë ministrin Armend Zemaj, por ministrin tonë. Askush s’na ka kthy përgjigje dhe jemi duke prit a po na thërrasin sot a jo. Nëse nuk na thërrasin, ne kemi plan ta bëjmë një protestë shumë të madhe, me dal midis rrugës, por jemi në pritje nëse po lajmërohet.
Gjendja është katastrofale, kur lëshohen autobusët e lokalet, në autoshkolla vet i dyti është instruktori në makinë, janë edhe masat mbrojtëse, maskat e dorezat. Kushtet janë 100% për hapjen e autoshkollave, nuk ka asnjë problem. Ne një ditë m’i kthy kandidatët kemi humbje të mëdha, se lëre më që s’kemi punu që 4 muaj thuajse. Na kanë bërë sikur mos të ekzistonim, a janë mbi 400 autoshkolla, e mbi 3000 familje që jetojnë nga kjo punë”, tha për IndeksOnline, kryetari i Federatës së Autoshkollave të Kosovës, Afrim Ismajli.