Deputetë e Lëvizjes Vetëvendosje, sot dorëzuan nismën ligjore, duke iu lejuar mërgimtarëve që të përmbushin të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar në ambasada dhe konsullata të Republikës së Kosovës, pëcjell InLajmi.
Mërgimtarët përbëjnë me shumë se 1/3 e popullësisë së Kosovës, ku rreth 700 milion euro vijnë vetëm nga mërgimtarët në vit, por fatkeqësisht, roli politik i mërgatës është reduktuar shumë kur bëhet fjalë përfshirjen e tyre në vendimmarrje.
Me projektligjin e propozuar nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosjes, votuesit nga mërgimi do ta kenë mundësinë që të realizojnë të drejtën e tyre kushtetuese që të votojnë në ambasadat dhe konsullatat e Republikës së Kosovës në vendet ku jetojnë.
“Rreth 700 milionë euro në vit, vijnë nga mërgata. Fatkeqësisht dhe jo për fajin e saj, roli politik i mërgatës është reduktuar shumë kur bëhet fjalë përfshirjen e tyre në vendimmarrje. Megjithëse, formalisht mundësia e pjesëmarrjes në zgjedhje ju njihej, praktikisht atyre ju është pamundësuar përmes burokracisë e pengesave teknike e administrative. Mospërputhja e numrit të madh të bashkatdhetarëve, kontributit politik, kombëtar dhe ekonomik të tyre dhe përfshirjes në zgjedhje, duhet të marrë fund, duke ju ofruar mundësi që të votojnë aty ku jetojnë, në ambasada dhe konsullata të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e VV-së./InLajmi/