Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që erdhi në përfundim se dekreti i presidentit është në përputhje me Kushtetutën, ka qenë i pritshëm.
“Vendimi është i qartë dhe i pritshëm, sepse ka qenë e qartë kur është shkruar Kushtetuta. Ka qenë e qartë kur është interpretuar kjo çështje në vitin 2014 dhe qëndrimi që ne bashkarisht kemi mbajtur me Vetëvendosjen dhe partitë e tjera në atë kohë të opozitës dhe është i qartë edhe sot. Vullneti i popullit deklarohet në Kuvend dhe Kuvendi përmes vullnetit të popullit vendos për institucionet e tjera”.
Ai në Klan Kosova ka treguar se kur pritet që të procedohet për thirrjen seanca e jashtëzakonshme për votimin e Qeverisë Hoti.
“Pasi vendimi është nxjerrë në orët e vona ne akoma nuk jemi konsultuar, por besoj se nesër në mëngjes do të konsultohemi. Procedura është shumë e thjeshtë, duhet vetëm një letër për Kryetaren e Kuvendit nga unë si Kryetar i Grupit Parlamentar ku caktojmë ditën dhe orën kur mbahet seanca, derisa të tjerat janë të përfunduara”.
Gashi beson se para të hënës do të mbahet seanca për votimin e qeverisë së re.
Por, a i ka votat kjo qeveri?
“Unë kam dorëzuar në Zyrën e Parashtresave të Kuvendit kërkesën për seancë me 61 nënshkrime dhe kjo çështje e votave nuk besoj se është më çështje diskutimi. Për formimin e qeverisë duhen të paktën 61 deputetë dhe unë minimumin e nevojshëm për formimin e qeverisë tashmë e kam dorëzuar”.
Çfarë reagimi pret Arben Gashi nga Lëvizja Vetëvendosje?
“Vetëvendosja e ka përkrahur këtë opsion kushtetues për Kosovën në vitet 2014 dhe 2017. Besoj se shumë shpejt do ta kalojnë dhe do të vazhdojmë të bashkëpunojmë, siç kemi bashkëpunuar në pushtet dhe opozitë. Lufta politike është e tillë”