Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi nuk sheh alternativë tjetër pos që Gjykata Kushtetuese të merr vendim për pezullimin e dekretit të Thaçit.
Selimi, ka thënë se pret që Gjykata Kushtetuese të merr vendim për kërkesën e tyre qysh nesër pavarësisht se është ditë feste.
Ai ka thënë se dekreti i Presidentit ka ndodhur sot për shkak të një skenari që lidhet me festën e 1 Majit dhe vikendin.
“Kur është lëshuar dekreti është bërë një kalkulim. Nesër është festë zyrtare në Kosovë. Dy ditët tjera pasuese është fundjavë. E gjithë kjo ka qenë e organizuar në atë mënyrë që Gjykata Kushtetuese të mos mund të merr vendimin që ne presim ajo ta merr”.
Selimi thotë se koha e zgjedhur për dekretin ka qenë e tillë për ta zënë në gjumë Vetëvendosjen.
“Nuk është e rastësishme fundjava e zgjedhur që ka tre ditë pushimi. Mos të tingëllojë si patetike por ndoshta me këtë dekret kanë dashur që institucionet dhe qeverinë të na kapin në gjumë dhe në këtë far gjumi ata të krijojnë njëfarë mundësie që të krijojnë institucione jo legjitime dhe jo kushtetuese”.
Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini se kjo parti asnjëherë nuk ka refuzuar të jep një emër të mandatarit për kryeministrit.