Nga kjo e diel, 12 prill, komuna e Prishtinës është vendosur në karantinë. Kjo pas regjistrimit të 20 rasteve të reja me koronavirus duke e çuar totalin në këtë komunë në 47.
Prishtina bllokohet nga kolonat e gjata, ku në çdo hyrje janë duke u bërë kontrolle të rrepta nga Policia e Kosovës. Nëse je banorë rezidentë i Prishtinës mund të hyshë përndryshe kthehesh prapa nga komuna që vini.
Ministria e Shëndetësisë dhe Komuna e Prishtinës të shtunën njoftuan për masën e karantinimit teksa kanë bërë të ditur se ata që janë jashtë kryeqytetit e duan të kthehen brenda kanë mundësi ta bëjnë këtë deri në orën 17:00 sot. I njëjti termin vlen edhe për ata që duan të dalin nga kryeqyteti.
Ky vendim është nxjerrë nga ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, në konsultim me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetin, pasi mbrëmë (11 prill, 2020) janë konfirmuar edhe 27 raste të reja me Covid-19 në mbarë Kosovën, prej të cilave 20 janë në Prishtinë.
Ministri Vitia ka bërë të ditur se banorët të cilët ndodhen jashtë Komunës së Prishtinës, kanë mundësinë të kthehen më së largu sot (12 prill), deri në ora 17.00.
“Banorët e kryeqytetit i kanë disa paqartësi se si do të iu bëhet zgjidhja atyre që punojnë”.
Kujtojmë se sot po ashtu pritet të mbahet një konferencë e jashtëzakonshme për media ku do të prezantohen masat e reja rigoroze që do të ndërmerren.