Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se ka takuar homologun e tij sllovak, Miroslav Lajçak.
Ai thotë se i ka kërkuar që pesë vendet e Bashkimit Evropian duhet ta njohin Kosovën, përfshirë edhe Sllovakinë.
Postimi i plotë:
Sot kam zhvilluar një takim bilateral me Ministrin e Jashtëm të Sllovakisë z. Miroslav Lajçak.
Takimi është zhvilluar në Pragë para Konferencës së vendeve të Vishegradit dhe Ballkanit Perëndimor.
Ndër tjera e kam falenderuar Ministrin Lajçak për mbështetjen që Sllovakia i ka dhënë procesit të integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, si dhe për qëndrimin mbështetës rreth procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Gjithashtu kam theksuar se është me rëndësi që pesë vendet e Bashkimit Evropian përfshirë Sllovakinë, të lëvizin drejt njohjes së Republikës së Kosovës.
Nga ana tjetër Ministri i Jashtëm i Sllovakisë Lajçak ka theksuar se përkundër faktit që Sllovakia nuk e ka njohur Republikën e Kosovës, Qeveria e Sllovakisë e mbështet rrugën e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe liberalizimin e vizave.
Unë e kam theksuar në këtë takim se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk i shmanget dialogut dhe është e gatshme për këtë.
Në të njejtën kohë unë kam bërë të ditur se Serbia e ka keqpërdorur dialogun në lobimin për çnjohjen e Republikës së Kosovës duke e paraqitur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve si dialog për statusin e Kosovës dhe kjo nuk duhet të lejohet më.
Në fund të takimit i kam dorëzuar Ministrit Lajçak një listë me rastet konkrete ku Serbia aplikon njëanshëm bariera jotarifore.
/InLajmi/