Ish-trajneri i kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi, ka qenë i ftuar në emisionin “Procesi Sportiv” në Shqipëri, derisa u rikthyer të flas edhe njëherë për tema nga e kaluara. Tekniku italian nuk e la pa e përmendur edhe çështjen “Rashica” e cila u bë bujë e madhe në momentin kur De Biasi e la jashtë listës për Evropianin e vitit 2016.
Në mesin e lavdërimeve që i thurri për yllin tashmë të Kosovës, De Biasi gjithashtu ironizoi me 23-vjeçarin.
“Po ta merrnim do të fitonim Evropianin. Në jetë duhet të kesh respekt për të gjithë personat që ke punuar. Rashica ka lindur në 1997, ishte 19-20 vjeç, nuk kishte nivelin që ka si sot. Sot është një fenomen, askush nuk ia heq cilësitë që ka”, deklaroi De Biasi.
Kujtojmë që De Biasi kishte lënë jashtë listës së Evropianit të vitit 2016 në Francë futbollistët Amir Rrahmani, Herolind Shala dhe Milot Rashica. Që të tre futbollistët zgjodhën më pas që t’i bashkohen Kombëtares së Kosovës.