Analisti Blerim Latifi ka kritikuar veprimin e sotshëm të kryeministrit, Albin Kurti që shkoi në këmbë deri në zyre. Sipas Latifit kjo nuk tregon modesti as virtyt por mendjelehtësi.
Latifi përmes një postimi në rrjetin social Facebook tha se shëtitja e liderit si qytetar i zakonshëm është papërgjegjshmëri ndaj vendit.
Postimi i plotë i tij:
“Ecja e kryeministrit në këmbë dhe pa mbrojtje të afërt, nuk është virtyt, e as modesti. Është mendjelehtësi. Në vende, si Kosova, ku stabiliteti i shtetit varet në masë të madhe nga siguria fizike e liderëve të tyre, shëtitja si qytetar i zakonshëm është papërgjegjshmëri ndaj vendit. Kosova nuk është Skandinavi, ku edhe po ndodhi ndonjë atak mbi krerët e shtetit, shteti nuk tronditet. Ne jetojmë në Ballkan, për të cilin ende vlen metafora e fuqisë së barotit. Fatkeqësisht!”
Kryeministri Kurti mëngjesin e sotëm ka shkuar në punë pa makinën e tij./InLajmi/