Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me bashkëshorten dhe vajzën e tij mbrëme vizituan teatrin “Dodona”. Shfaqja që ata zgjodhën të shikojnë ishte “Liza në botën e çudirave”.
Sipas një postimi në rrejtin social “Instagram”, kryeministri ka shpjeguar momentet që ka kaluar me familjen e tij, shkruan InLajmi.
“Kur perdet e teatrit ranë ne u futëm në botën e tij. Duke e ndjekur nga pas lepuroshin e shfaqjes, çuditeshim bashkë me Lizën. Hera herës provonim t’i ndihmonim asaj në matematikë e në gjetjen e kryeqytetit të Kosovës. Viheshim në siklet nga trysnia mbi Lizën, por edhe gëzoheshim kur ajo triumfonte”.
Gjithashtu, Kurti ka shtuar se kushtet në teatër nuk janë të mira dhe se duhet që të japin ndihma institucionale.
“Njëmend mungojnë kushtet në këtë teatër, por aty ka aq shumë dashuri për të e pasion në të.
Aktorët tanë e bëjnë dhe shfaqin maksimumin e tyre në çdo paraqitje skenike, kurse ne duhet që së paku ta japim ndihmën institucionale. Si prind e di rëndësinë e teatrit, prandaj nuk do e lëmë në harresë”./InLajmi/