Aktivistja e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjermani, Donika Gërvalla, ka dënuar sulmin ndaj zëvendëskryeministrit të Kosovës Avdullah Hotit.
“Mos harroni, ne jemi shumë më shumë se ju dhe kthim prapa nuk ka”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.
Postimi i plotë:
Ne jemi shumë më shumë se ju
Ne e duam dritën – ju errësirën për punët tuaja të shëmtuara;
Ne e duam progresin – ju të shkuarën gjatë së cilës keni vjedhur e mashtruar sipas qejfit;
Ne e duam shtetin ligjor – ju anarkinë që keni instaluar për të vjedhur, vrarë dhe shantazhuar;
Ne e duam dijen- ju injorancën, sepse ajo ju mundëson të mos turpëroheni kur shihni fytyrën tuaj në pasqyrë;
Ne respektojmë guximin për të marrë vendimet e duhura për çlirimin e shtetit nga korrupsioni dhe krimi – ju kërcënoni ku të mundeni;
Ne kënaqemi kur qeveritarët tanë shëtisin rrugëve pa gorilla dhe xhipa të zinj – ju i gjuani me vezë dhe na e bëni edhe më të qartë se pse ishte kaq i domosdoshëm ndryshimi.
Mos harroni, ne jemi shumë më shumë se ju dhe kthim prapa nuk ka. Koha juaj ka kaluar përfundimisht dhe të vetmit që ende nuk e kanë kuptuar jeni ju.
/InLajmi/