Luan Dalipi i bashkohet qeverisë së Republikës së Kosovës si Shef i Stafit të Kryeministrit
Luan Dalipi do të shërbejë si këshilltari kryesor imi si Kryeministër, për palët e brendshme dhe të jashtme të interesit për çështjet që kanë të bëjnë me Kryeministrin. Luani do të koordinojë punën e kabinetit qeveritar, me Zëvendës Kryeministrat, Ministrat, Zëvendës Ministrat dhe këshilltarët e qeverisë, do të mbështesë qeverinë në formulimin dhe zbatimin e politikave, strategjive dhe planeve, si dhe në komunikim dhe ngritje të vetëdijësimit.
Formimi i gjerë arsimor dhe profesional i Luanit e ka përgatitur atë të sigurojë mbështetje për Kryeministrin në përpjekjet e tij për të kaluar Kosovën në të ardhmen që meriton si një vend i lirë dhe i prosperuar. Ai u arsimua në Shtetet e Bashkuara nga shkolla e mesme deri në një diplomë master në Menaxhim Ndërkombëtar. Luani u kthye në Kosovë në 2001 dhe shërbeu si përfaqësues i Departamentit të Tregtisë së ShBA-së në Ambasadën e ShBA-ve para se të hynte në sektorin privat të Kosovës. Është bashkëthemelues i një prej kompanive më të mëdha të këshillimit në Ballkanin Perëndimor. Luani gjatë njëzet viteve pasuese të ekzistencës së kompanisë së tij ka menaxhuar me sukses dhjetëra projekte të organizatave ndërkombëtare në Kosovë dhe jashtë saj.
Luan Dalipi gjithashtu ka qenë themelues dhe ish Kryetar i Bordit të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (‘AmCham’), ish bashkëkryesues i Fondit Kosovar Amerikan të Arsimit (‘KAEF’), themelues i Këshillit të Konsulentëve të Biznesit (‘BCC’), dhe konsulent i certifikuar ndërkombëtar në menaxhment. Ai është fitues i disa çmimeve profesionale në fushën e menaxhmentit dhe konsulencës.
Luani karakterizohet me etikë të fortë pune, vetëmotivim, optimizëm për të ardhmen, dhe performancë të bazuar në rezultate. Ekspertiza e tij – në udhëheqje, menaxhim, koordinim, mobilizim të resurseve njerëzore, konsolidim e bashkërenditje të institucioneve dhe proceseve, dhe krijim të politikave zhvillimore – do t’i shtoj vlerë kabinetit qeveritar. Si Shef i Stafit pritet që ai do të zbatojë mësimet nga e kaluara e tij për të arritur objektivat e qeverisë.
Është i martuar dhe ka dy fëmijë, 13 dhe 8 vjeç.