Tani ka shpresë për pacientët që kanë nevojë për transplant, kjo pas zbulimit të fundit teknologjik i cili mundëson mbajtjen gjallë të zemrës për 24 orë.
Për momentin, një zemër e dhuruar zakonisht mund të qëndrojë vetëm katër orë deri në transplantimin tek personi i cili ka nevojë për të.
Por, duke pompuar lëngje nëpër enët e gjakut dhe duke përdorur pulsin e oksigjenit që imitojnë rrahjet e zemrës, shkencëtarët kanë qenë në gjendje të mbajnë zemrat e derrave gjallë për 24 orë.
Ata thonë se teknologjia e re mund të jetë e disponueshme për përdorim për zemrat e njeriut brenda një viti.
Teknologjia e re, e cila funksionon duke përdorur një pajisje sa një valixhe të vogël, mund të shkurtojë listat e pritjes për transplantime.
Dr Rafael Veraza, nga Universiteti Mjekësor i Teksasit në San Antonio, prezantoi gjetjet në zemrat e derrit, të cilat ende dukeshin të oksigjenuara me qeliza funksionale pas 24 orësh, në takimin vjetor të Shoqatës Amerikane për Përparimin e Shkencës në Seattle.
‘Zemra e parë u transportua më shumë se 50 vjet më parë duke e vënë atë në akull, dhe dekada më vonë ajo bëhet pak a shumë në të njëjtën mënyrë. Por të jesh në gjendje të mbash një zemër të qëndrueshme për 24 orë do të thotë që mund ta transportosh pothuajse kudo në botë, dhe kjo mund të shpëtojë shumë jetë” tha ai.