Publicisti Halil Matoshi komenton ngjarjet e fundit politike dhe bisedimet në Mynih ku krerët e Kosovës u takuan me krerët e lartë botërorë duke thënë se zyrtarët që nënshkruan marrëveshjen në Mynih a kanë qenë të Ministrit Pal Lekaj apo të Lumir Abdixhikut.
Matoshi ka shume pyetje për Albin Kurtin.
“Mbrojtja e interesit të Kosovës në Konferencën e Munich-it nga Kryeministri Kurti, përtej retorikave të forta, ishte prej burrështeti. Të jesh sot kundër korrigjimit të kufijve dhe ‘trikave’ serbe për “Minj Schengen ballkanik” është patriotizëm kushtetues”, ka shkruar Matoshi në rrjetin social Facebook.
Shkrimi i plotë:
Pyetja Nr. 5 për pushtetin
A nënshkruan marrëveshje zyrtarët e Pal Lekajt apo të Lumir Abdixhikut?
Do të ishte krejtësisht normale që zyrtarët e Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës të nënshkruanin marrëveshje me homologët serbë, por me nënshkruar me Marko Djurić-in, si shef i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, kjo së pari është legjitimim i kësaj zyre fantome dhe së dyti paraqet asimetri në përfaqësimin e shteteve: Serbia shtet dhe Kosova “ma pak shtet” – që pala serbe e cilëson si “krahinë jugore” të Serbisë!?
Albin Kurti po thotë se zyrtarë të Pal Lekajt kanë nënshkruar marrëveshje të cilën as që e ka parë !?
Në anën tjetër Kurtin e demantoi partneri i koalicionit, LDK që mbështeti marrëveshjet e nënshkruara nga zyrtarët e Lumir Abdixhikut e jo të Pal Lekës, siç i cilësoi Albin Kurti!?
Qysh është e mundshme që zyrtarë të Qeverisë së rënë pasi Kryeministri Haradinaj është dorëhequr, të nënshkruajnë marrëveshje me një shtet tjetër, prapa shpinës së shefit të Qeverisë?
Qysh është e mundshme që vartës të Kryeministrit (ata dy përfaqësues të MTI-së duhet të jenë staf civil i Qeverisë) të takohen e të bëjnë ujdi me zyrtarë të shtetit serb pa dijen e shefit të tyre?
Nëse dekonstruktohet fjalia e Kurtit “Marrëveshjet nuk u autorizuan nga Qeveria ime” del se Kosova paska dy Qeveri!?
Çka po ndodhë Kryeministër?
P.S.
Mbrojtja e interesit të Kosovës në Konferencën e Munich-it nga Kryeministri Kurti, përtej retorikave të forta, ishte prej burrështeti. Të jesh sot kundër korrigjimit të kufijve dhe ‘trikave’ serbe për “Minj Schengen ballkanik” është patriotizëm kushtetues!
/InLajmi/