Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, në shënimin e 50 vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës, ka thënë se UP nuk ishte vetëm vatër e dijes, por edhe e rezistencës kombëtare, dhe luajti rol në pavarësinë e vendit.
Ish-zëvendëskryeministri, Enver Hoxhaj, tani deputet i PDK-së në Kuvendin e Kosovës, për nder të 50 vjetorit të Universitetit të Prishtinës, është shprehur se ky gjysmë shekull ishte në shërbim të arsimimit e dijes, në shërbim të përparimit dhe emancipimit kombëtar.
“Janë bërë 50 vjet që nga themelimi i Universitetit të Prishtinës. Gjysmë shekulli në shërbim të arsimimit e dijes, në shërbim të përparimit dhe emancipimit kombëtar!”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.
Ai, gjithashtu ka potencuar se Universiteti i UP-së nuk ishte vetëm vatër e dijes, por edhe e rezistencës kombëtare dhe luajti një rol të jashtëzakonshëm në pavarësinë e vendit.
Në shkrim, Hoxhaj, uroi të gjithë ata që gjatë këtyre dekadave kanë bërë që, siç u shpreh ai, ky insitucion i dijes të ngrihet në nivelin e sotëm, duke u bërë ballë sfidave të kohës.
“Prandaj, uroj sot pedagogët e studentët, krejt ata njerëz që gjatë këtyre dekadave kanë bërë që ky institucion i dijes të ngrihet në nivelin e sotëm, duke u bërë ballë sfidave të kohës! Të kontribuojmë edhe më tutje në rritjen e tij!”, përfundoi shkrimin Enver Hoxhaj.