Deputeti nga radhët e PSD-së, Dardan Molliqaj në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi thotë se marrëveshjet e sotme kanë qenë mbi bazat e procesit të vjetër të dialogut.
Ai me tej thekson “Dialogu Kosovë-Serbi: Koka e vjetër, bishti i ri”.
“Sot u nënshkrua me Serbinë edhe një marrëveshje e re, mbi bazën e procesit të vjetër të dialogut. Një dialog larg syve të publikut; marrëveshje që publikohen vetëm pasi të jenë nënshkruar; pa debat shoqëror e politik paraprakisht; me figurën e njëjtë në krye të këtij procesi – Thaçin – të pandryshuar e të pa sfiduar. Sot pra, u nënshkrua edhe një marrëveshje me logjikën e njëjtë të 9 viteve të fundit: marrëveshje për pjesët por jo për tërësinë; marrëveshje për probleme më të vogla, pa e zgjidhur njëherë problemin politik në mes dy vendeve. Pa e arritur marrëveshjen përfundimtare që do të sillte njohje reciproke dhe pranim të subjektivitetit politik të shtetit të Kosovës nga Serbia”, ka shkruar Molliqaj në rrjetin social Facebook.
Postimi i plotë:
DIALOGU ME SERBINË: KOKA E VJETËR, BISHTI I RI
Sot u nënshkrua me Serbinë edhe një marrëveshje e re, mbi bazën e procesit të vjetër të dialogut. Një dialog larg syve të publikut; marrëveshje që publikohen vetëm pasi të jenë nënshkruar; pa debat shoqëror e politik paraprakisht; me figurën e njëjtë në krye të këtij procesi – Thaçin – të pandryshuar e të pasfiduar. Sot pra, u nënshkrua edhe një marrëveshje me logjikën e njëjtë të 9 viteve të fundit: marrëveshje për pjesët por jo për tërësinë; marrëveshje për probleme më të vogla, pa e zgjidhur njëherë problemin politik në mes dy vendeve. Pa e arritur marrëveshjen përfundimtare që do të sillte njohje reciproke dhe pranim të subjektivitetit politik të shtetit të Kosovës nga Serbia.
Por, po aq e rëndësishme dhe ogurkeqe është heshtja absolute e kryeministrit Kurti. Heshtje kjo, me të cilën ai në fakt po flet shumë dhe po tregon që është bërë pjesë e projektit të vjetër të dialogut. Heshtje kjo, përmes së cilës po i heqë vetes çdo përmbajtje politike që e kishte artikuluar deri tash dhe përmes së cilës erdhi në pushtet.
Sot Albin Kurti, duke iu bashkuar përmbajtësisht projektit të Hashim Thaçit, po bëhet bishti i heshtur i Hashim Thaçit. Sot ai po tregon që pavarësisht nëse bashkërendimin me Thaçin nuk e ka të formalizuar, ai po ecë hapave të tij, pas tij, sepse ka zgjedhur projektin e tij. /InLajmi/