Policia e Kosovës ka konfirmuar denoncimin për kandosje ndaj biznesmenit Valon Ademi nga sekretari i Ministrisë për Infrastrukturë dhe Ambient, Betim Reçica.
Përveç denoncimit në polici, Reqica për këtë veprim të shokut të shefit të tij, ministrit Lumir Abdixhiku, e ka njoftuar edhe kryeministrin Albin Kurti.
Lidhur me këtë rast, ka dhënë detaje edhe zëdhënësja për media e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
”Sot rreth orës 10:00 kemi pranuar një ankesë për një rast kanosje. Ankesa është trajtuar nga ana e policisë, janë intervistuar palët e përfshira. Aktualisht hetuesit policorë në koordinim me Prokurorinë përkatese janë duke punuar në sqarimin e rrethanave që lidhen me këtë ngjarje”, ka thënë Ahmeti.
Të njëjtën letër, Reçica ia ka dërguar edhe udhëheqësve të tjerë shtetërorë.
“Sot më datën 13/02/2020, në ora 8:11 të mëngjesit kam pranuar një kanosje të drejtpërdrejt përmes telefonit nga Valon Ademi pronar i kompanisë “2 A Group Sh.P.K, ku jam fyer dhe kam pranuar kërcënime me jetë për mua dhe familjen time”, thuhet në letrën që Reqica ia ka dërguar kryeministrit Albin Kurti, ministrës së drejtësisë Albulena Haxhiut dhe drejtorit të Policisë së Kosovës, Rashit Qalajt.
Sipas letrës së Reqicës, të cilën e ka siguruar Insajderit, zyrtarët e kësaj ministrie kishin pasur edhe më herët problemet të ngjashme.
“Valon Ademi tash e një kohë njihet për veprimet e tij kërcënuese edhe ndaj ish-zyrtarit përgjegjës të prokurimit, Besim Tahirit, në kohën e ministrit Lutfi Zharku. Rasti për këtë sulm dhe kanosje ndodhet në Gjykatën Themelore të Prishtinës, në zhvillim e sipër”, thuhet në këtë shkresë zyrtare.