Ish Gjyqtari i EULEX-it, Dariusz Sielcki propozohet nga Shteti i tij të zgjidhet si Gjyqtar në Gjykatën Speciale
Gjykata Speciale e cila do të hetoj dhe do te gjykoj ish pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është akoma duke e kompletuar ekipin e Gjyqtarëve për Dhomat e Specializuara dhe po e përmbush numrin e Gjyqtarëve të cilët do të punojnë në atë Gjykatë.
Shteti i Polonisë më konkretisht Ministria e Punëve të Jashtme e ka propozuar si Gjyqtar Dariusz Sielickin për Gjykatën Speciale, i cili ka punuar si Gjyqtar në Misionin e EULEX-it dhe i cili është raportuar për shkelje dhe parregullsi të shumta gjatë punës së tij e në veçanti për rastin ‘’Drenica II’’ kur ai ishte duke punuar në misionin e EULEX-it.
Si duket nuk është bërë e madhe dhe ndoshta edhe nuk është informuar Shteti i Polonisë nga Misioni i EULEX-it apo nga Bashkimi Evropian në lidhje me raportimet e vazhdueshme të parregullsive dhe manipulimeve që kanë ndodhur gjatë procesit gjyqësor në rastin Drenica nga ana e Gjyqtarit Dariusz Sielicki dhe Ana Adamska.
Ne kemi marre informacion nga një burim i yni përmes një emaili (një burimi në Poloni) se nga të gjithë aplikantët që kishin aplikuar për Gjykatën Speciale ish Gjyqtari Dariusz Sielicki është propozuar nga Shteti i Polonisë, Ministria për Punë të Jashtme që të përzgjidhet si Gjyqtar në Gjykatën Speciale.
‘’Unë jam informuar se Gjyqtari Dariusz Sielicki është propozuar nga Ministria e Polonisë për Punë të Jashtme për tu përzgjedhur si gjyqtar në Gjykatën Speciale (Dhomat e Specializuara). Mediat në Kosovë për momentin janë duke raportuar për manipulimin e gjykimit përfshirë Gjyqtarin Sielicki. Po ashtu pretendohet se ai në mënyrë të kundërligjshme i ka marrë emailat e një gjyqtari tjetër”, thotë burimi ynë.
Ky rast ishte kontestuar dhe raportuar po ashtu nga ish Kryetari i Gjyqtarëve të EULEX-it Z. Malcolm Simmons për shkak të manipulimit të trupit gjykues dhe integritetit të gjyqtarëve në atë panel. Gjyqtari Malcolm Simons e kishte akuzuar misionin e Bashkimit Evropian për korrupsion, racizëm dhe keqpërdorime të shumta dhe më pas kishte dhënë dorëheqje. Në disa komunikime me e-mail të britanikut Malcolm Simmons me zyrtarë të lartë të BE-së, shpërfaqet mënyra e ndarjes së drejtësisë nga gjyqtarët e EULEX-it, të cilët të pandehurve në grupin “Drenica”, u referohen si ‘’kafshë’’ duke i fyer ata në mënyrë diskriminuese.
RTK si dhe emisioni Udhëve ka raportuar vazhdimisht në lidhje me parregullsitë dhe manipulimet që kishin ndodhur gjatë procesit gjyqësor në rastin “Drenica II” kundër ta akuzuarve shqiptar për krime të luftës, ku Z. Sielicki si kryetar i panelit gjyqësor e kishte caktuar të dashurën e tij Ana Adamska (nga Polonia) si anëtare të trupit gjykues ku ai vetë ishte deklaruar se ajo ishte e dashura e tij.
Pretendimet e Z. Simons për afera korruptive brenda misionit më të madh evropian në Prishtinë, kanë vënë pikëpyetje në paanshmërinë dhe kredibilitetin e EULEX-it sidomos në proceset gjyqësore. Sipas Z. Simons, Gjyqtari Dariusz Sielicki ishte i përkëdheluri i menaxhmentit të EULEX-it për rastet e gjykimit të profilit të lartë si i dëgjueshëm për të shpallur dënime me urdhëra politike sipas objektivave të tyre.
Ish Gjyqtari Dariusz Sielicki pasi e ka përfunduar punën e tij në Misionin e EULEX-it në Kosovë dhe pasi ai ishte akuzuar për manipulime dhe keqpërdorime në Misionin e EULEX-it, tani nga të gjithë aplikantët e kualifikuar të cilët kanë aplikuar të jenë pjesë e Gjykatës Speciale vetëm Dariusz Sielicki është propozuar nga Shteti i Polonisë për të marrë pjesë si Gjyqtar në Dhomat e Specializuara (Gjykatën Speciale), shkruan lajmi.net.
RTK ka dëshmi ekskluzive për ndërhyrje të mundshme nga komuniteti ndërkombëtar në vendimin e fundit në rastin e “Drenica II” i cili vendim është marrë nga paneli i Gjykatës Supreme.