Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bërë sot homazhe te varri i Arben Xheladinit, në Prishtinë dhe Mon Balajt, në Podujevë, në 13 – vjetorin e vrasjes së tyre.
Po ashtu, kryeministri Kurti ka bërë homazhe te pllaka përkujtimore e Arben Xheladinit dhe Mon Balajt, në Bulevardi “Nënë Tereza” në Prishtinë, duke thënë se drejtësia ende sot mungon për Monin e Arbenin.
“UNMIK-u duhet të marrë masa dhe të kthejë përgjigje për opinionin e panelit këshillues për të drejtat e njeriut të UNMIK-ut, meqenëse ky panel nxori vendimin se policia ka patur faj sa i përket vrasjes së demonstruesve paqësorë”, tha kryeministri Kurti.
Më tej, kryeministri Kurti tha se përherë do t’i kultivojnë idealet e Monit e të Arbenit, që janë ideale të përbashkëta.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Të nderuara familje Xheladini dhe Balaj
Të nderuar ministra dhe deputetë,
Të dashur aktivistë, zonja dhe zotërinj, motra dhe vëllezër
Të nderuar të pranishëm,
Para 13 vjetëve ne protestuam paqësisht, mirëpo mu në këtë vend, nuk u pritëm paqësisht.
Protestuam kundër diskriminimit të shqiptarëve në paketën e Ahtisaarit e cilat u pat publikua më 2 shkurt të vitit 2007.
Aty 37 herë përmendej fjala “serb”, ndërkaq fjala “shqiptar”, një herë, atëherë kur thuhej komunitetet joshqiptare. Veçse një herë përmendej edhe gjuha shqipe.
Ajo paketë vendosi pengesa të mëdha që i kemi edhe sot e kësaj dite,
shumicën e dyfishtë, dominimin ndërkombëtar përmbi institucionet vendore, shuarjen e TMK-së, decentralizimin etnik, eksterritorialitetin fetar, dhe borxhin e jashtëm të Serbisë që na përshkruhej edhe neve.
Prandaj më 10 shkurt 2007 protestuam me shumë të drejtë.
Ato vendime që atëherë u pranuan kollaj nga politikanë dritëshkurtër, sot i kushtojnë shumë Kosovës, dhe ia kanë gjymtuar shtetit sovranitetin e demokracinë.
Ne po përpiqemi ta ndreqim, por korrigjimi e rregullimi marrin shumë më tepër kohë sesa dëmtimi e rrënimi.
Mijëra qytetarë morën pjesë atë ditë. Ishte ndër demonstratat më të mëdha pas luftës. Në ballë ishte baca Adem Demaçi.
Por, na ndërpreu dhunshëm policia ndërkombëtare e UNMIK-ut.
232 plumba të skaduar u gjuajtën mbi trupat tanë. U vranë Arben Xheladini e Mon Balaj.
Ku do të ishin ata sot, po të mos kishte ndodhur ajo padrejtësi këtu e 13 vjet më parë? Do të ishin aktivistë të mirë e qytetarë të ndershëm, patriot e punëtorë, por jo edhe profiterë. Ata nuk do të kërkonin asgjë, sepse ishin të gatshëm të japin gjithçka.
Mirëpo, ne nuk do të ishim këtu ku jemi po të mos ishin ata. Moni e Arbeni ndriçuan rrugën. Ata na thanë: mos tradhtoni e mos u shitni. E ashtu është. Kush tradhton idealin e kush shitet, nuk është Vetëvendosje.
Në atë protestë u lënduan mbi 80 veta, ndër ta u plagosën rëndë e me pasoja jetësore Mustafë Nerjova, Zenel Zeneli e Hysni Hyseni, ky i fundit ndërroi jetë para pak ditësh. Hysni Hyseni në atë protestë e pat humbur njërin sy. Ky është 10 shkurti ynë i parë pa Hysni Hysenin. Do ta përkujtojmë edhe Hysni Hysenin-Dodën, me dashuri e respekt, porsi Monin e Arbenin.
Mirëpo, ky është edhe përvjetori i parë pa mësuesen tonë të dashur, pa Resmije Kadri Xheladini, nënën e Arbenit që e kujtojmë me shumë mall.
Protesta jonë nuk ishte e kotë. Protestat e drejta e avancojnë drejtësinë, edhe te populli që i bën, edhe për gjithë botën. Një muaj pas protestës sonë, Marti Ahtisaari ia bashkëngjiti Propozimit të tij një faqe të re të parë me rekomandimin ku thoshte ‘pavarësi e mbikëqyrur’ për Kosovën. Një vit pas protestës sonë u shpall pavarësia e Kosovës. E pesë muaj pas protestës së 10 shkurtit, OKB vendosi ta ndalojë përdorimin e plumbave të gomës në misionet e saj gjithë andej globit.
Të nderuar të pranishëm,
Drejtësia ende sot mungon për Monin e Arbenin. UNMIK-u duhet të marrë masa dhe të kthejë përgjigje për opinionin e panelit këshillues për të drejtat e njeriut të UNMIK-ut, meqenëse ky panel nxori vendimin se policia ka patur faj sa i përket vrasjes së demonstruesve paqësorë.
Ne kurrë nuk i harrojmë, dhe përherë do t’i kultivojmë idealet e Monit e të Arbenit, idealet tona të përbashkëta.
Lavdi Monit, Arbenit dhe gjithë dëshmorëve të Kombit./InLajmi/