Partia e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, AAK-ja, po premton se do të jetë konstruktive në të bërit opozitarizëm. Ndaj kryeministrit aktual AAK-ja thekson se do ta ketë qasjen e njëjtë sikurse ai e pati dikur me ta sa ishte në opozitë.
Veprimet e mira të qeverisë së tanishme për AAK-në do të jenë të mirëpritura, por ato që nuk janë në interes të vendit do të jenë krejtësisht të patolerueshme. Me 13 deputetët që i ka në Kuvend partia e Haradinajt synon ta kontrollojë çdo veprim të ekzekutivit të ri. Për ta, që tani, programi qeverisës i Kurtit është i parealizueshëm. Mirëpo për konstruktivitetin e opozitës analistët kanë dyshime. Paraqitja e AAK-së, por edhe e subjekteve të tjera opozitare ditën e zgjedhjes së Qeverisë, ishte e dobët dhe joargumentuese. Kështu pohojnë njohësit e çështjeve politike, të cilët theksojnë se përveç mllefit të pakontrolluar, opozitarët e rinj nuk kanë dhënë sinjale për një opozitë, e cila do të jetë racionale e argumentuese në vijim.
Opozita e tanishme përballjen e parë me Qeverinë e nisi ashpër, ani pse ende nuk kanë parë ndonjë punë të saj. Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, në një përgjigje për gazetën “Zëri” ka theksuar se në seancën kur u votua Qeveria partia saj e ka kundërshtuar ndryshimin e qëndrimeve që ka bërë Albin Kurti ende pa u bërë kryeministër, ndërsa për punën e tij si shef i Qeverisë thotë se do të presin së paku deri në tre muaj për ta kritikuar ose për ta lëvduar. “Ajo që ne kemi diskutuar gjatë seancës plenare kanë qenë zhgënjimet nga premtimet e zotit Kurti gjatë periudhës sa ka qenë në opozitë dhe ndryshimet e qëndrimeve ende pa e marrë pushtetin, por kritikat për punën e tyre mbetet të bëhen në muajt e ardhshëm”, ka deklaruar ajo.
Kadrijaj ka thënë se partia e saj si opozitë do të jetë kontrolluese e çdo veprimi të qeverisë së re dhe se nuk do të jetë tolerante ndaj gabimeve të ekzekutivit. “Ne do të jemi gardianë të Qeverisë. Do t’i mbrojmë të gjitha ato tema, të cilat janë në nivel nacional dhe nuk do të heshtim për asnjë temë që e cenon tërësinë territoriale të Kosovës. Në bazë të veprimeve që do t’i bëjë kjo Qeveri ne do të veprojmë si opozitë. Do të jemi konstruktivë, por veprimet që nuk do të jenë në interes të shtetit AAK-ja kurrsesi nuk do t’i tolerojë”, ka shtuar ajo.
Duke i përmendur disa veprime e zotime të kryeministrit Kurti, të cilat sipas Kadrijajt kanë ndryshuar ende pa ardhur ai në pushtet, ajo thekson se nuk mund të ketë pritje të realizimit të programit të tij.
