Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit (MIA), përmes një komunikate për media ka treguar se në autostradën “Ibrahim Rugova” është mbyllur një shirit i qarkullimit bashkë me atë ndihmës.
Krejt kjo, pasi që, pak orë më parë në autostradën “Ibrahim Rugova” ka pasur rrëshqitje të dheut dhe si pasojë e kësaj disa makina që kanë qenë duke qarkulluar në atë pjesë të rrugës kanë pësuar dëme materiale.
MIA, ka treguar se kompanitë e kontraktuara nën mbikëqyre të përgjegjësve nga ministria, kanë intervenuar në vendin e ngjarjes.
“Kompanitë e kontraktuara, në mbikëqyrje të përgjegjësve nga ministria, kanë intervenuar në vendin e ngjarjes dhe për shkaqe të sigurisë, njëri shirit, bashkë me atë ndihmës janë mbyllur për qarkullim. Vendi është sinjalizuar sipas standardeve të kërkuara dhe kompania do të mbetet në kujdestari gjatë gjithë kohës”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu kjo ministri ka bërë thirrje te pjesëtarët ne komunikacion, të shtojnë kujdesin gjatë qarkullimit në këtë aks rrugor, me qëllim të evitimit të dëmtimeve nga situata të ngjashme, shkruan Insajderi.
“Ministri Lumir Abdixhiku, lut qytetarët që tu përshtaten kushteve atmosferike, përderisa siguron se rrugët do të jenë të hapura në vazhdimësi për gjatë gjithë sezonit dimëror”, përfundon komunikata e MIA-së.