Transporti publik luan një rol shumë të rëndësishëm kudo në botë. Është një prej elementeve kryesore të jetës publike në qytet.
Ndonëse jo si në vendet perëndimore, transporti publik përdoret shumë edhe në Kosovë, veçanërisht në kryeqytet.
Pos që është shumë ekonomik, trafiku urban, sipas qytetarëve, ka edhe lehtësira tjera dhe konsiderohet shumë komod.
Zyrtarë nga Ndërmarrja Publike Komunale “Trafiku Urban”, thonë se ka një kategori të caktuar të njerëzve të cilët e përdorin gjithmonë këtë lloj transporti, por që, sipas tyre, shoqëria kosovare do të duhej të ndiqte praktikat e vendeve perëndimore sa i përket përdorimit të transportit publik.
Ndërsa në Drejtorinë e Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve që të orientohen në përdorimin e transportit publik, pasi edhe qarkullimi në komunikacion do të ishte më i lehtë.
E, meqë ndotja e ajrit shënon çdo ditë shifra alarmante, përdorimi sa më i madh i transportit publik nga qytetarët, do të ndihmonte në rënien e këtyre vlerave.
Kjo pasi autobusët zëvendësojnë një numër të madh të makinave, të cilat, sipas raportet e organizatave të ndryshme të ambientit, kanë rezultuar të jenë një nga shkaktarët kryesorë të ndotjes, raporton T7.
Pos linjave të rregullta të transportit të qytetarëve, Trafiku urban gjithashtu ka edhe disa linja të kontraktuara për bartjen e punëtorëve të komunës, si dhe disa kompanive të tjera.