Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka thënë se kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka shkelur rëndë ligjin, kur ka vendosur t’i vazhdojë mandatin drejtorit të përgjithshëm të Doganave të Kosovës, shkruan InLajmi.
Ai ka thënë se vendimi i kryeministrit e shkelë vrazhdë në kuptimin material (në përmbajtjen e tij), ngase aty qartë është e rregulluar se duhet të shpallet konkurs dhe duhet vendim për përzgjedhje nga komisioni fillimisht.
Reagimi i plotë i tij:
Kryeministri Haradinaj, e ka shkelur rëndë ligjin, kur ka vendosur t’i vazhdojë mandatin drejtorit të përgjithshëm të Doganave të Kosovës. Kodi Doganor Nr. 03/L – 109, në nenin 5 (paragrafi 1) kërkon domosdoshmërisht krijimin e një komisioni dhe shpalljen e konkursit për zgjedhjen e tij. Pas kësaj, propozimi i komisionit shkon tek ministri i financave, i cili, tek atëherë e dergon rekomandimin tek kryeministri. Vendimi i kundërligjshëm i kryeministrit, thirret pikërisht në dispozitën ligjore të neni 5 pika 1, të Kodit Doganor, të cilin Vendimi i kryeministrit e shkelë vrazhdë në kuptimin material (në përmbajtjen e tij), ngase aty qartë është e rregulluar se duhet të shpallet konkurs dhe duhet vendim për përzgjedhje nga komisioni fillimisht. Kjo është shkelje e rëndë ligjore e radhes dhe veprim arbitrar, abuzim me detyrën, shpërdorim i funksioneve e të mirave publike etj. Pastaj ne quditemi se përse nuk kemi liberalizim të vizave. Qeveria në ardhje do të ndalojë këto abuzime me pasurinë e të mirat e përbashkëta.
Prokuroria ku është?/InLajmi