Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati përmes një postimi në Facebook ka thënë se partitë politike përhapin propagandë e frikë në masa, duke mos i lënë prindërit të vendosin për fatin e fëmijëve.
Kjo është për shkak se kanë frikë se do të përjashtohen nga komuniteti e do t’u drejtohet gishti nga ta, shkruan InLajmi.
Ai ka thënë po ashtu se nuk do të ndalen angazhimet për përmirësimin e kushteve e avansimint e mësimdhënies.
Postimi i plotë:

Ndryshimet janë pjesë integrale e jetës. Paralelisht, frika e rrjedhimisht rezistenca ndaj ndryshimit është njashtu e pranishme tek çdo individ e shoqëri. Protesta është formë demokratike e shprehjes së qëndrimit dhe unë e respektoj dhe çmoj. Mirëpo, çdo ndryshim e ka arsyen e vet. Dhe në rastin tonë është arsimimi më i mirë i fëmijëve tanë. Çdo frikë e ka burimin e vet, si në rastin e Kamenicës ku partitë politike përhapin propagandë e frikë në masa, duke mos i lënë prindërit të vendosin për fatin e fëmijëve të tyre, nga frika se do të përjashtohen nga komuniteti e do t’u drejtohet gishti nga ta.
Unë jam kryetar komune, dhe me këtë rol vijnë edhe përgjegjësitë. Karrierën time dua ta ndërtoj mbi angazhimin për të mirën e vendit. Nuk synoj jetë luksoze e benefite personale. Këtë e dijnë të gjithë. Dhe kjo po i pengon disave të cilët më me dëshirë do t’më shihnin tek harxhoj kot e s’lëviz gurë. Për ta bërë më interesante ofertën e tyre politike. Është obligim i institucionit, që duke parë ndërthurjen e problemeve dhe mangësive, krijon strategji dhe vepron në përputhje me të. Këtë raport ne e kemi publikuar dhe kemi prezantuar në disa raste, gjithëherë duke u penguar nga interesat politike.
Ftoj partitë politike të mos bëjnë fushatë për interesa politike. Nuk është aspak e ndershme e as e drejtë ta përkrahni reformën privatisht e publikisht të nxisni rezistencë. Nuk është aspak e ndershme që nga Zyret e Partisë të angazhohesh në protestë civile si organizator kryesor. Shkarkimi i Kryetares së Këshillit të Prindërve në Topanicë dhe zgjedhja e anëtarit të kryesisë së Partisë Lëvizja VETËVENDOSJE! kryetar i këshillit të prindërve vetëm që të angazhohet për organizimin e kundërshtimit duke manipuluar me ndjenjat dhe frikën e prindërve është e papranueshme.
Për çdo propozim që ka në fokus arsimim më të mirë, jemi të hapur të dëgjojmë dhe veprojmë. Mirëpo, me poezi lirike nuk mund të kundërshtohet një vendim i drejtë. E përsëris, asnjë mësimdhënës nuk do të mbetet jashtë sistemit. Transporti është organizuar me rregull. Ne nuk do të ndalim angazhimin tonë për përmirësimin e kushteve e avansimin e mësimdhënies. Për këtë, ftoj të gjithë organizatorët që në vend që të pengojnë procesin mësimor, të bashkohen në përpjekjet tona për arsimim më të mirë. Qëndron Kastrati nuk është i përhershëm, por efektet e riorganizimit do të jenë./InLajmi/