Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, që është i mandatuar për kryeministër të Kosovës Albin Kurti, ka kërkuar që të mbahet seanca plenare e Kuvendit për votimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Ky hap i Kurtit vie pas tre muajsh bllokadë politike dhe negociatash me Lidhjen Demokratike të Kosovës, me të cilën nuk është arritur ende marrëveshja për bashkëqeverisje.
Në njoftimin e lëshuar nga Kuvendi i Kosovës, thuhet se të premten duke filluar nga ora 9 do të mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, e cila do të vendos për ditën kur do të mbahet seanca e votimit të qeverisë së re.
Gjatë ditës, burime të sigurta të gazetës, kanë konfirmuar se Albin Kurti, ka kërkuar që seanca për votimin e qeverisë së re, të mbahet të hënën e ardhshme, më 3 shkurt.
Deputeti i Vetëvendosjes Shpejtim Bulliqi, ka thënë se thirrja e kësaj seance nga Kurti, është e drejtë legjitime.

Ai ka thënë për gazetën se shpreson që do të ketë kohë të mjaftueshme deri të hënën që të arrihet marrëveshja me LDK-në.
Sipas tij, kjo do të ndodhë, nëse do të ketë vullnet të dyanshëm nga partitë politike.
“Është e drejtë legjitime thirrja e kësaj seance. Shpresojmë që ka kohë të mjaftueshme deri te hënën të arrihet marrëveshja, po pati vullnet të dy anshëm”, ka deklaruar deputeti i Vetëvendosjes.
Bulliqi nuk ka mohuar që do të ketë takime të reja së shpejti me LDK-në për ta nënshkruar marrëveshjen për bashkëqeverisje.
“Shpresojmë për takime sa më të shpejta të dy subjekteve për ta nënshkruar marrëveshjen”, ka thënë ai.
Bulliqi nuk ka dashur të komentojë në pyetjen se a mund të ketë takime të VV-së me partitë tjera politike, nëse përfundimisht dështojnë negociatat me LDK-në.
Vetëvendosje, nëse nuk arrin koalicion me LDK-në, mund të hyjë në koalicion me Nisma-AKR dhe AAK-në si dhe partitë e komuniteteve pakicë, shkruan Bota Sot.
Vetëvendosje numëron 29 deputetë, NISMA-AKR 6 deputetë, AAK 13 dhe komunitetet 20 deputetë