Policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë lidhur me operacionin e mbrëmshëm, në të cilin mbeti i vrarë pjesëtari Sami Thaqi, si dhe u plagosën dy të tjerë.
Policia e Kosovës ka thënë se në momentin tragjik, i dyshuari për posedim të narkotikëve nuk ka qenë në shtëpi, shkruan InLajmi.
Gjithçka kishte ndodhur teksa policët ishin në katin e dytë, teksa ende nuk dihet se si ka ardhur deri tek shpërthimi nga i cili pësoi polici Sami Thaqi.
Menjëherë pas rastit, i dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Njësitë policore për hetimin e narkotikëve në bazë të një informate për posedim të narkotikëve kanë shkuar në bastisje të shtëpisë së të dyshuarit mashkull K/Shqiptar i cili për momentin nuk gjendej në shtëpi. Gjatë bastisjes në një moment në katin e dytë të shtëpisë në rrethana të panjohura ka ndodhur një shpërthim me ç’rast janë lënduar tre zyrtarë policorë meshkuj K/Shqiptarë dhe një fëmijë, ndërsa një zyrtar policorë nga plagët e marra ka ndërruar jetë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse dhe me urdhër të prokurorit të shtetit trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion, ndërsa i dyshuari pronari i shtëpisë është dërguar në mbajtje./InLajmi