Përkundër që kanë kaluar më shumë se 3 muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 6 tetorit, Vetëvendosje e LDK edhe me tej nuk janë pajtuar ende për ndarjen e pozitave.
Mirëpo, gjatë ditës është raportuar se Albin Kurti dhe Isa Mustafa do të takohen sot, ku edhe pritet të dalin me një qëndrim për arritjen e marrëveshjes.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova, në një prononcim, ka folur lidhur me takimin e paralajmëruar për sot.
Ai në një përgjigje dhënë gazetës ka thënë se është diskutuar se do të ndodhë një takim mes liderit të LDK-së dhe atij të VV-së.
“Nuk e di sigurt. Është fol për këtë çështje se do të ketë një takim, mirëpo nuk kam ide dhe informacione të sakta”, ka thënë Rugova.
Rugova është pyetur edhe për takimin e mbrëmshëm në vilën e kreut të LDK-së në Prapashticë, por nënkryetari i LDK-së nuk ka dashur të flas për këtë çështje.
“Nuk e di përbesë se çfarë ka ndodhur mbrëmë”, ka thënë ai.
Kujtojmë se marrëveshja VV-LDK është bllokuar pasi dy partitë nuk po merren vesh se kush po merr më shumë pozita në Qeveri, Kuvend e Presidencë.
Në zgjedhjet e 6 tetorit Lëvizja Vetëvendosje, për herë të parë, doli e para me 29 deputetë e pasuar nga LDK me 28 deputetë.
Këto dy parti asnjëherë nuk kanë qeverisur së bashku, ndërsa partia e Kurtit për herë të parë pritet të bëhet pjesë e Qeverisë.
Pozitën e kryeministrit të dy partitë ishin zotuar se do t’ia jepnin partisë së parë ndërsa pozitat tjera do të negocioheshin, shkruan Bota Sot.
Kurse oferta e fundit e LDK-së ndaj VV-së ishte që t’i takon pozita e Kryeparlamentarit deri më 2021, pozita e Presidentit dhe 5 ministri.